“Trepça – ristrukturimi, sfidat dhe perspektiva”- një dokument shkencor që shtron për zgjidhje çështjen “Trepça”
Libri “Trepça - ristrukturimi, sfidat dhe perspektiva”, është pa dyshim njëri nga dokumentet më të kompletuara shkencore në 15 vitet e fundit, që i kushtohet pasurive minerale të Kosovës – me theks të veçantë resurseve minerale metalore të plumbit dhe zinkut. Autorët me sukses kanë arritur t’i hulumtojnë, evidentojnë dhe t’i shtrojnë për zgjidhje të gjitha çështjet që preokupojnë kompleksin minerar “Trepça”. Objektivi i autorëve është se, nëpërmjet elaborimit të Planit të Ristrukturimit, mbi bazën e parametrave tekniko - shkencorë dhe ekonomik, ta argumentojnë rëndësinë dhe efektivitetin e kryerjes së investimeve në kompleksin minerar “Trepça”.
Ky libër nxjerr në pah preokupimin legjitim të intelektualëve të shquar të Kosovës dhe përpjekjet e tyre për të demonstruar mundësitë reale të zhvillimit dhe të punësimit në një nga gjigantët e industrisë minerare jo vetëm të Kosovës, por edhe në rang ballkanik dhe më gjerë. Në të trajtohen alternativat për ristrukturimin e kompleksit minerar “Trepça”, në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Minierat, në kushtet e ekonomisë së tregut, dhe duke qenë miqësore ndaj mjedisit.
Nga një periudhë veçanërisht e rëndë degraduese, sidomos gjatë viteve ‘90- të, viteve të fundit ka pasur një përmirësim domethënës të prodhimit, pasurimit si dhe të mbështetjes sociale (punësimit). Por, me të drejt autorët theksojnë se, kompleksi minerar “Trepça”, me strukturën aktuale organizative, statusin dhe strukturën menaxheriale, nuk mund të jetë konkurrues në kushtet e ekonomisë së tregut.
Në këtë libër autorët shtjellojnë me radhë problematikat dhe rrugët e zgjidhjes, që lidhen ngushtë me ristrukturimin e kompleksit minerar “Trepça”. Kështu, një kapitull i veçantë i këtij libri trajton gjerësisht konceptin bazë të menaxhimit minerar, duke nisur nga rrjedhat globale dhe ndikimi i tyre në prodhimin dhe konsumin e plumbit dhe të zinkut, çmimet, ofertat dhe kërkesat për xeheror, metal dhe koncentrat të plumbit dhe zinkut.
Një tjetër kapitull, po ashtu, sjell informacione shteruese për gjendjen aktuale të “Trepçës” dhe jepen premisa të zgjidhjes së shumë problemeve. Autorët, në mënyrë mjaft bindëse trajtojnë sfidat me të cilat përballet dhe do të përballet “Trepça”: sociale, mjedisore, tekniko - teknologjike dhe ligjore - secila më e rëndësishme se tjetra. Dhe, në përmbledhje të tyre, mendojmë që, pavarësisht se autorët nuk e përmendin, del e qartë që kemi përballje të drejtpërdrejtë me sfidën e besimit që, po të bëhen siç duhet punët, rezultatet do të ishin të mira dhe fitues do të dilnin të gjithë ata që do të kyçeshin në këtë betejë të gjatë dhe të rëndësishme.
Autorët e këtij libri, me shumë të drejtë i kanë kushtuar vëmendje të madhe evidentimit dhe kërkesës për përfitim maksimal të metaleve shoqëruese të xeheve të plumbit (Pb), zinkut (Zn), veçanërisht për arin (Au), argjendin (Ag), bismutin (Bi) dhe kadmiumin (Cd).
Ky libër, po ashtu, trajton në mënyrë tepër profesionale modele të ndryshme të ristrukturimit të “Trepçës”. Modeli i preferuar prej autorëve - modeli më i mirë do të ishte ristrukturimi dhe më pas privatizimi i pjesshëm përmes procesit publik-privat me kusht që shteti të mbajë mbi 51% të aksioneve. Natyrisht, alternativat janë të ndryshme, por mendojmë që i plotësojnë kushtet kryesore: shfrytëzimin racional të rezervave, rritjen e prodhimit, rritjen e të ardhurave dhe të punësimit si dhe ruajtjen më të mirë të mjedisit. Ashtu si dhe për modele të tjera, edhe për këtë model përmirësimet ligjore janë të domosdoshme, për t’i kombinuar sa më mirë interesat ekonomike, sociale dhe mjedisore të vendit, me interesat për fitim maksimal të investitorëve (aksionarëve).
Në këtë kuadër, Partneriteti Publiko - Privat (P.P.P.), është formë tepër e mirë që mund të përdoret në kuadër të modelit Privatizim dhe Ristrukturim, me formimin e kompanisë publike - aksionare. Autorët e trajtojnë gjerësisht në studim P.P.P., duke vënë në dukje dhe momentet delikate të këtij bashkëpunimi, ku duhet drejtuar vëmendja e dyanshme.
Studimi “Trepça - ristrukturimi, sfidat dhe perspektiva”, ndërkaq, sot po iu ofrohet jo vetëm studiuesve potencialë (studentëve), por edhe institucioneve kërkimore - shkencore, institucioneve qeverisëse të Republikës së Kosovës, sikurse edhe investitorëve potencialë. Dhe kjo po bëhet në kohën e duhur, kur fati i kompleksit minerar “Trepça” dhe në përgjithësi i industrisë minerare, po shtrohet për zgjidhje, brenda procesit kompleks të transformimit të madh ekonomik të vendit tonë.
Ky libër, si asnjë tjetër deri më tani, sjell të dhëna koncize statistikore rreth resurseve minerale të Kosovës; jep një pasqyrë unike komparative (krahasuese) me vendet e rajonit dhe të botës, ndërsa në formë konkluzionesh paraqet vizionin e autorëve për perspektivën e industrisë minerare të Kosovës.
Autorët e këtij libri, duke qenë se për një kohë kanë qenë në krye të menaxhmentit të ndërmarrjes “Trepça”, në këtë studim, krahas njohurive teorike dhe praktike, kanë shkrirë edhe përvojën e tyre menaxheriale, duke na ofruar kështu një elaborat të mirëfilltë shkencor.