Lexo

Trepça ka rrugëdalje (Intervistë e zv.ministrit të MMPH-së, Ferat Shala për Revistën Ekonomia)

Ish – drejtori i ndërmarrjes Trepça, Ferat Shala, nuk fsheh lehtë emocionet, derisa flet për gjendjen aktuale dhe të ardhmen e kompleksit industrial Trepça. Tani për tani, për të situata në Trepçë, nuk është e mirë. Arsye thotë se ka shumë, ndërsa argumentueshëm fajëson ish administratorin UNMIK, për joseriozitetin e treguar në raport me këtë aset të nevojshëm për Kosovën. Megjithatë, tërë problemin e kombinatit e sheh me rrugëdalje dhe madje, kjo sipas tij, duhet domosdoshmërisht të ndodh. “Ringjallja e kompleksit industrial Trepça, do të ishte faktor dominues në zbutjen e madhe të papunësisë. Kjo do të ndikonte drejtpërdrejt dhe tërthorazi te ndërmarrjet e vogla e të mesme, të cilat mund të jenë satelit të kësaj ndërmarrje në kuptimin e përpunimit, logjistikës, transportit dhe të mirëmbajtjes tekniko-teknologjike. Do të ishte faktor i fuqishëm në ngritjen e kapaciteteve shkencore e profesionale për universitetet tona. Pra, ndikimi është i shumanshëm dhe i prekshëm”, thotë prof. dr. Ferat Shala, në intervistën dhënë revistës Ekonomia.

Shala, këmbëngulë se Trepça është ndërmarrje industriale me resurse të fuqishme zhvillimore, ekonomike, potencialisht me perspektivë të lartë. Ajo çfarë është arritur të ruhet karshi kushteve e kaluara, sipas tij është trungu – palca kurrizore e Trepçës.

Rimëkëmbja, sipas ish – drejtorit Shala, kërkon së paku një afat kohor prej tri vitesh, duke u bazuar në të gjitha analizat dhe parametrat shkencor dhe teknik.

“Çdo vonesë nënkupton shkallë të lartë së rrezikut të madh ekonomik, që nënkupton humbje të mëtutjeshme të hapit në tregun rajonal, evropian dhe atë botëror. Secili vend që ka resurse të tilla, do t’i materializonte në të mirë të zhvillimit të gjithëmbarshëm të tij”, thotë ai.

Për të bërë këto lëvizje, Shala thotë se për Trepçën prioritet mbi prioritete duhet të jetë ngritja e një trupe profesionale, ku mbi bazën e argumenteve shkencore dhe rrethanave që dikton ekonomia e tregut të lirë, të fillojë procesi i zgjidhjes së problemit juridik dhe ekonomik të saj.

“Kjo nënkupton, një proces transparent, të pa politizuar, në bashkëpunim me faktorët vendor dhe ndërkombëtar në ekspertizë, në mënyrë që zgjidhja e statusit të ndërmarrjes të hap rrugë për zgjidhjen e problemit ekonomik, që nënkupton fillimin e ristrukturimit të mirëfilltë të ndërmarrjes Trepça. Pa këtë investim fillestar, nuk do të mund të krijojmë kushte për zgjidhjen e sfidave tjera, që janë: sociale, mjedisore, sfidën e tregut, atë tekniko-teknologjike etj”, shpjegon idenë Shala.

 Qeveria dhe AKP nuk kan plan për Trepçën

 Sipas tij, Qeveria e Kosovës aktualisht nuk ka plan për ndërmarrjen Trepça, njësoj sikur nuk ka plan as Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila e menaxhon atë.

Tek sa komenton zhvillimet e ditëve të fundit rreth kësaj ndërmarrjeje, Shala thotë se ato janë të shtresuara me kohë, për shkak të neglizhimit të pamerituar që i është bërë mirëmbajtjes së aseteve dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese të këtij gjiganti.

“Zhvillimet e fundit në ndërmarrjen Trepça, janë si rezultat i grumbullimit të problemeve të së kaluarës historike, juridike dhe ekonomike të ndërmarrjes. Në bazë të ligjit aktual në fuqi (Ligji nr 04/L-035), që nga data 8 nëntor 2011, kur AKP-ja shpalli njoftimin për moratorium, nuk kemi asnjë veprim juridik, profesional dhe as ekonomik që së paku të fillonte procesi i zgjidhjes së problemeve të ndërmarrjes Trepça nga AKP. Kjo agjenci, ka pasur për obligim ligjor që të hartoj dhe të filloj procesin e ristrukturimit. Mosrespektimi i këtij ligji edhe ashtu i kontestuar, e ka prurë ndërmarrjen në këtë situatë, duke u bërë shkas që Trepça të kalojë në agjendë politike”, thotë Shala.

Ish drejtori i Trepçës dhe profesor në Fakultetin Metalurgjik në Mitrovicë, është shumë kundërshtues i idesë së dikurshme të lansuar nga UNMIK, se Trepça është një dinozaur. Qasje kjo, e cila sipas Shalës, ka bërë që ekonomia e Kosovës në përgjithësi të vuaj pasoja të mëdha.

“Në realitet shprehja ,,dinozaur” ka një origjinë nga periudha menaxhuese e UNMIK-ut mbi Trepçën. Atëherë jo vetëm Trepça ishte quajtur dinozaur por edhe shumë ndërmarrje tjera. Nën këtë slogan u lanë nën mëshirën e kohës që të shkatërrohen shumë ndërmarrje. Në parim do të duhej të bëhej një vlerësim për industrinë minerare në atë fazë, të rimëkëmbej ajo që kishte mundësi në atë kohë (fjala është periudhën pas luftës). Pas kësaj rimëkëmbje t’i afrohej procesit të ndryshimeve të mëdha për të kaluar kah ekonomia e tregut të lirë, e pse jo me një transparence në drejtim të sektorit privat. Ishte zgjedh apo përgatitë rruga tjetër nga UNMIK-u, ajo e degradimit, e uljes së vlerës së ndërmarrjeve, e mbylljes dhe e falimentimit. Disa sosh edhe u privatizuan pa ndonjë transparence të mirëfilltë. Raste të tilla ka mjaft në Kosovë. Në këtë fazë edhe Trepça u quajt dinozaur dhe si i tillë u fut nën masa shumë të veçanta me rregulloren 2005/48, pra u shpall moratoriumi për këtë ndërmarrje”, kujton Shala, duke shtuar me bindje se edhe atëherë edhe sot, Trepça është një ndërmarrje minerare dhe industriale me resurse të fuqishme zhvillimore, ekonomike, potencialisht me perspektivë të lartë.

Madje, ai thotë se ndërrimi i qasjes ndaj Trepçës, do bënte hapin e madh në drejtim të zhvillimit.

“Duke qenë të ndërgjegjshëm për vonesën e ndërtimit të shtetit tonë dhe veçoritë që ka zona për të cilën po flasim, kjo ka ndikuar edhe në vonesën e rimëkëmbjes së ndërmarrjes Trepça. Çdo vonesë shtesë nënkupton shkallë të lartë së rrezikut të madh ekonomik, që nënkupton humbje të mëtutjeshme të hapit në tregun rajonal, evropian dhe atë botëror. Kosova ka nevojë shumë për prodhues të metaleve, për përpunim të tyre, për eksport të tyre, ka nevojë ta rikthejë një pjesë të tregut të humbur, që dikur e kishte. Kosova ka nevojë shumë ta përmirësojë dhe rrisë eksportin. Ringjallja e kompleksit industrial Trepça, do të ishte faktor dominues në zbutjen e madhe të papunësisë. Kjo do të ndikonte drejtpërdrejt dhe tërthorazi te ndërmarrjet e vogla e të mesme, të cilat mund të jenë satelit të kësaj ndërmarrje në kuptimin e përpunimit, logjistikës, transportit dhe të mirëmbajtjes tekniko-teknologjike. Do të ishte faktor i fuqishëm në ngritjen e kapaciteteve shkencore e profesionale për universitetet tona. Pra, ndikimi është i shumanshëm dhe i prekshëm. Secili vend që ka resurse të tilla, do t’i materializonte në të mirë të zhvillimit të gjithëmbarshëm të tij. Sepse, nëse shikojmë historinë e lindjeve dhe zhvillimit së shteteve të reja, pothuajse të gjitha, në hapat e parë të zhvillimit të tyre ekonomik, kanë shfrytëzuar resurset e tyre natyrore. Pra kanë transformuar këto resurse në fuqi ekonomike dhe asete tjera me interes nacional. Pse të mos e bëjmë edhe ne?!”, thotë Shala.

Dhe për këtë rrugëkthim, sipas tij nevojitet që për Trepçën prioritet mbi prioritete të jetë ngritja e një trupe profesionale, ku mbi bazën e argumenteve shkencore dhe rrethanave që dikton ekonomia e tregut të lirë, të fillojë procesin e zgjidhjes së problemit juridik dhe ekonomik të Trepçës.

“Kjo nënkupton, një proces transparent, të pa politizuar, në bashkëpunim me faktorët vendor dhe ndërkombëtar në ekspertizë, në mënyrë që zgjidhja e statusit të ndërmarrjes të hap rrugë për zgjidhjen e problemit ekonomik, që nënkupton fillimin e ristrukturimit të mirëfilltë të ndërmarrjes Trepça. Pa këtë investim fillestar, nuk do të mund të krijojmë kushte për zgjidhjen e sfidave tjera, që janë: sociale, mjedisore, sfidën e tregut, atë tekniko-teknologjike etj”, thotë ai.

Pas kësaj faze, Shala thekson se lind nevoja që mbi bazën e një plani dhe strategjie të ristrukturimit, të shikohen mundësitë e investimeve të drejtpërdrejta në asetet thelbësore dhe ato jothelbësore.

“Jam i bindur, se këtu kapitali i përbashkët vendor dhe i jashtëm, me një formulë dhe logjikë ekonomike, do të gjenin interesa të përbashkëta për ekonominë e vendit”, shton ai.

 Për Trepçën, ka investitorë të interesuar

Pasuria e Trepçës dhe situata botërore në fushën e mineraleve, i jep këtij gjiganti shumë mundësi, për të cilat Shala thotë ka informacione se ka edhe interesime të investitorëve të huaj serioz për të qenë pjesë e saj.

“Është fat i madh, sipas informacioneve që kam unë, se ende mund të gjenden partner serioz, që janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe të investojnë në Trepçë. Po ashtu, për fat të mirë, gjithë parametrat global të tregut të metaleve të: plumbit, zinkut arit dhe argjendit, janë në favor të një perspektive për Trepçën”, thotë ai.

Pos kritikës ndaj ish administratorit të Trepçës, UNMIK-ut, Shala thotë se as Qeveria e Kosovës por as AKP që tash menaxhon me këtë ndërmarrje, nuk kanë një plan se si të zhvillohet ajo.

“Aktualisht, Qeveria nuk ka plan për ndërmarrjen Trepça. Ta shohim në perspektivë. Trepça, në këtë situatë është e administruar nga AKP, e cila fatkeqësisht është gjithashtu pa një plan dhe strategji për Trepçën’, thotë prerazi Shala.

 Trepçës, i duhet një ekip i mirë juristësh

Për të filluar nga e mbara dhe të nis procesi mirëfilli i organizimit të Trepçës, Shala thotë se duhet qasur në mënyrën më të mirë profesionale. Sipas tij, duhet në radhë të parë krijimi i një trupe profesionistësh juridik që janë në gjendje mbi bazën e argumenteve pronësor-juridike dhe investive ta mbrojnë Trepçën në instanca të caktuara gjyqësore deri në përfundimin definitiv të procesit të ristrukturimit dhe pastrimit nga pretendentët.

“Ky proces do të hapte mundësi, që rruga juridike e Trepçës të vazhdojë pa e penguar dhe prolonguar zhvillimin ekonomik të ndërmarrjes”, thotë ai, duke shtuar se ka bindjen se amandamentimi i ligjit për Ndërmarrjet Publike nuk është ai që ka qenë në fillim.

“Kështu si është tani nuk duhet të miratohet. Esenca dhe ideja ka qenë e qartë: Trepça duhet të shkëputet nga AKP-ja pjesërisht. Pra vetëm asetet thelbësore, ku pas studimeve të hollësishme, do të mund të ripërtërihen shpejt. Këto asete thelbësore janë: minierat, metalurgjitë, fabrikat e pasurimit (flotacionet) dhe industria kimike. Kjo tërësi asetesh, është klasifikuar në këtë mënyrë, me vendimin e Gjykatës Supreme – Dhoma e Veçantë, të datës 28/01/2011. Numri i lëndës : SCR 05-0001”, saktëson Shala.

“Kjo ndarje ka bazë juridike dhe bazuar në të, ka filluar procesi i privatizimit të aseteve pasive, siç janë: fabrika e nikel-kadmiumi në Gjilan, “Famipa” në Prizren, fabrika e baterive industriale në Pejë, “Extra” në Vushtrri, fabrika e poliesterit në Besianë etj. Pra, ky proces ka filluar me privatizimin e disa aseteve të Trepçës. Ndërkaq, po stopohet zhvillimi i asetve produktive, përkatësisht atyre thelbësore”, thotë ai.

Shala nënvizon se ideja e amandamentimit të ligjit për ndërmarrje, ishte që me këto asete thelbësore të krijonim një ndërmarrje të re, përkohësisht publike dhe të fillonte procesi i ristrukturimit të këtyre kapaciteteve në të mirë të ekonomisë së vendit.

“Në këtë proces, nuk ka kurrfarë nacionalizimi, por do të hapej rruga legale dhe transparente që qeveria të hartonte strategjinë dhe metodologjinë e punës së mëtutjeshme të kësaj ndërmarrjeje. Pra, do t’i nënshtrohej një procesi në të cilin do të ishin të përfshirë përsëri të gjithë të interesuarit legjitim për këtë ndërmarrje. Nëse minierat e thëngjillit mund të jenë publike, pse s’mund të jenë minierat e Trepçës?! Nëse me pasuritë e linjitit të Kosovës po synojmë të ndërtojmë kapacitete të reja gjeneruese – Termocentralin e Ri, me investime të jashtme, pse nuk mund ta ripërtërijmë Trepçën me të njëjtën bazë ligjore?”, thotë Shala.

 Ja si duhet të shkoj procesi në Trepçë

“Prandaj, të gjithë ne, si politikanë dhe ekspertë, duhet të hapim një debat të shtruar, ta ç’mitizojmë Trepçën. Të marrim praktikat më të mira menaxhuese minerare, të njohura tashmë në Evrope dhe më gjerë”, shton ai.

Ndërsa për pjesën tjetër të ndërmarrjes, që ai e quan ‘Trepça e vjetër’, Shala është i mendimit se do të duhej të vazhdonte të mbetej nën menaxhimin e AKP-së dhe do t’i nënshtrohej atij procesi që është duke vazhduar- privatizimit të aseteve jo thelbësore.

“Të gjitha mjetet financiare që janë grumbulluar dhe do të grumbullohen mbesin në fondin e mirëbesimit. Këto mjete, janë garanci, se pas përfundimit të tërësishëm të procesit të ristrukturimit të Trepçës, mund të përdoreshin edhe për paguar borxhet, që eventualisht, faktohen nga pretendentët. Këto borxhe që mund të mbesin, duhet të kalojnë nëpër një proces juridik, që duhet të jetë transparent, para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm”, thotë ai.

Ndërsa, për të, problematika e shumëpërfolur e të ashtuquajtur pretendentë, duhet trajtuar mbi një platformë transparente në instancat gjyqësore, gjithnjë duke qenë të pranishëm përfaqësuesit legjitim të ndërmarrjes.

“Pra duhet bërë një ballafaqim juridik dhe ekonomik i argumenteve dhe pas përfundimit, AKP-ja, qeveria, duhet të marrin përgjegjësitë dhe obligimet ligjore. Fondet duhet siguruar nga likuidimi dhe shitja e aseteve dytësore të Trepçës. Bindja ime është, se shifrat e përmendura kohëve të fundit nuk qëndrojnë, apo janë shumë më të vogla se sa që flitet dhe shkruhet”, thotë Shala.

Shndërrimi i Trepçës në një Ndërmarrje Publike, sipas Shalës do të ishte vetëm i përkohshëm, drejt një transformimi më thelbësor të ridefinimit të statusit të saj si ndërmarrje.

“Gjithnjë, duke llogaritur mbi atë që sot e kërkon ekonomia globale dhe e tregut të lirë. Se çfarë modeli do të ishte pastaj, do duhej bërë një analizë për të parë cili model është i përshtatshëm për Trepçën, një ndërmarrje me kapital të përzier sipas modelit të partneritetit publiko-privat, apo modele tjera që janë të njohura në ekonominë moderne”, thotë Shala.

Ish drejtori menaxhues, në këtë intervistë flet edhe për gjendjen kombinatit si tërësi. Ai thotë se Trepça ka një numër të madh pajisjesh dhe teknologjish të vjetra në kuptimin tekniko teknologjik. Disa nga këto janë: metalurgjia e plumbit në Zveçan, industria e akumulatorëve, një pjesë e industrisë kimike, dhe në kufijtë e limitit është edhe metalurgjia e zinkut. Flotacioni i Kishnicës është poashtu tepër i dëmtuar nga mosha dhe edhe pse është aktiv ka nevojë për rigjenerim total. Humbjet në prodhim dhe energji janë të mëdha , rentabiliteti i tij është në pikëpyetje.

“Gjendje më të mirë ka flotacioni në Stantërg, por që edhe këtu duhen investime të konsiderueshme në procesin e digjitalizimit dhe monitorimit të prodhimtarisë, në procesin e shkurtimit të shpenzimeve të energjisë, etj. Ndërsa në gjendje shumë më të mirë është flotacioni në Leposaviq i cili është rinovuar viteve te fundit me pëlqimin e AKP-së, kur të njëjtën kohë është refuzuar kërkesa e Trepçës për rivitalizimin e flotacionit në Kishnicë. Sa i përket pajisjeve minerare kompleksi i minierave Artanë, Hajvali, Badovc dhe Kishnicë pothuajse ka një gjendje të rëndë në kuptimin tekniko-teknologjik dhe këtu duhen investime kapitale për ta ndërruar komplet procesin eksploatues minerar. Gjendjen shumë më të mirë e kemi në minierën e Stantërgut, ku kemi në shfrytëzim pajisje dhe teknologji moderne eksploatuese. Po ashtu, një gjendje të mirë e kemi në kompleksin e minierave Cërnac dhe Bellobërdë”, thotë Shala.

Duke qenë se ka nevoja të mëdha për investime, Shala mendon se me ketë buxhet që ka vendi, nuk ka mundësi ta rimëkëmbë ndërmarrjen Trepça deri në prodhimin final.

“Janë investime kapitale të konsiderueshme, kërkojnë kohe dhe ekspertizë investuese. Tërheqja e investimeve nga jashtë nga mekanizma buxhetor apo kompani ekzistuese do ta shpejtojë procesin e ristrukturimit te ndërmarrjes. Konsideroj që ndërmarrja ka aftësi dhe fizibilitet për këto investime”, thotë ai.

 Shumat e pretendentëve, maksimumi mund të arrijë rreth 100 milion euro

Për pretendimet e kreditorëve potencial, që janë përfolur në opinion, Shala thotë se janë çështje që duhet zgjidhur në mënyrë juridike, gjithnjë në çdo instancë me pjesëmarrjen e ekipit të Trepçës. Zgjidhja e statusit të Trepçës është proces dhe problem juridik në rend të parë, këmbëngulë ai.

“Mbështetur në të gjitha rrethanat aktuale, jemi të detyruar si shoqëri dhe shtet, që të fillojmë zgjidhjen e këtij problemi sa më shpejt. Sipas mendimit tim, në këtë rast kemi vetëm dy alternativa: të vazhdojmë zgjidhjen e problemeve mbi bazën e ligjeve aktuale, që nënkupton bartjen e disa përgjegjësive dhe niveli të rrezikut, apo të bëjmë ndryshimin e shpejt të legjislacionit, përkatësisht, nxjerrjen e ligjit të veçantë, i cili njëherë e përgjithmonë do ta zgjidhte statusin e ndërmarrjes Trepça. Këtu kujdes i shtuar nga institucionet përgjegjëse duhet kushtuar afateve kohore të kufizuara, që ka ligji aktual për fillimin e ristrukturimit të ndërmarrjes. Sa i përket shumave të pretendentëve, maksimumi i tyre mund të arrijë rreth 100 milion euro. Pra, këto shifra janë për pretendentët e jashtëm, pa llogaritur pretendentët e brendshëm siç janë Qeveria e Kosovës, nivelet sindikale të Trepçës etj”, thotë Shala.

Profesori Shala, thotë se pavarësisht situatës aktuale në të cilën ndodhet Trepça, ai nuk e sheh në asnjë rrethanë atë të ndarë.

“Ndërmarrjen aktualisht në asnjë opsion dhe formulë ekonomike nuk e shoh të ndarë. Ekonomikisht, perspektiva e ndarjes, është e pasuksesshme. Trepça mund të jetë ndërmarrje e suksesshme ekonomike vetëm si e tërë. Edhe në kuptimin juridik, de juro është një ndërmarrje. Konsideroj që ka hapësirë dhe mundësi që edhe de facto, pas procesit të ristrukturimit dhe definimit të statusit të ndërmarrjes, ajo të jetë një dhe e pandarë. Është në interesin edhe të veriut edhe të jugut”, thotë ai.

Ky gjigant metalurgji, veç asetave të saj brenda Kosovës, ka edhe pjesët e saj jashtë kufijve. Shala thotë se Trepça, por edhe shumë ndërmarrje tjera në Kosovë ende nuk i kanë shtruar për diskutim asetet jashtë vendit. Të gjitha këto, ai është i mendimit se me patjetër duhet të zgjidhen, të paktën në procesin e sukcesionit.

Gjithsesi, ai mbetet optimist edhe përkundër vonesave e politizimeve, që Trepça ka perspektivë sepse ka resurse të fuqishme që duhet të materializohen në interes të ekonomisë dhe të vendit.

www.revistaekonomia.com; Intervistoi: Ejup Gojnovci 


Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...

Lexo më shumë...

Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...

Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...