Lexo

Një vështrim mbi draftin e dokumentit të Strategjisë së Energjisë së Republikës së Kosovës 2022-2031

Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Ekonomisë ka përgatitur draftin e dokumentit të Strategjisë së Energjisë së Republikës së Kosovës për periudhën kohore 2022-2031. Dokumenti aktualisht është në fazën e diskutimit publik.

Duke marrë për bazë faktin se Strategjia e Energjisë, është një nga dokumentet më të rëndësishme strategjike, zhvillimore dhe politike të një vendi, në cilësinë e udhëheqësit të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovës dhe në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës, kam bërë një analizë të këtij dokumenti dhe përmes këtij shkrimi po prezantojë disa nga mangësitë, dilemat dhe nevojat për përmirësimin e tij.

Pritshmëritë nga Strategjia e Energjisë

Procesin e hartimit të kësaj strategjie në Kosovë e ka karakterizuar një fushatë agresive publike qysh në zanafillën e saj dhe si rezultat i kësaj qasje janë krijuar pritshmëri të jashtëzakonshme të publikut, shoqërisë, institucioneve qendrore e lokale, donatorëve dhe akterëve tjerë.

Sigurisht që interesimin dhe pritshmëritë nga ky dokument për publikun dhe grupet e interesit të shoqërisë sonë e ka shtuar edhe kriza energjetike në vend dhe ajo në nivel global e vitit 2021, e cila po vazhdon edhe sot. Pritshmëria e lartë për dokumentin e strategjisë është bërë edhe më e madhe dhe më kurioze duke marrë për bazë faktin se për hartimin e saj është angazhuar që nga fillimi Instituti Ndërkombëtar REKK, i mbështetur nga konsulenca TETRATEK e financuar nga USAID.

Të gjitha këto rrethana kanë krijuar ambientin për të rritur pritshmëritë,  se do ta kemi një dokument të një cilësie të lartë dhe të krahasueshëm me dokumentet strategjike që hartohen jo vetëm në rajon por edhe në vendet anëtare të BE.

Kur kësaj i shtojmë edhe faktin dhe fushatën agresive promocionale që ka bërë Qeveria e Kosovës përgjatë procesit të hartimit të dokumentit, domosdo që edhe pritshmëria duket e arsyeshme dhe reale.  Megjithëkëtë, ajo që kemi marrë nga e gjithë kjo pritje, përmes draftit të dokumentit të prezantuar në debat publik, lë shumë për të dëshiruar, ngase cilësia e tij është larg pritshmërive reale.

Roli i Kuvendit të Kosovës dhe akterëve tjerë në këtë proces?

Sidoqoftë, duke qenë se Kuvendi i Republikës së Kosovës është autoriteti final që i hap rrugë implementimit të Strategjisë së Energjisë, dhe për shkak te rëndësisë vitale për ekonominë, jetën shoqërore por edhe interesin e përgjithshëm të vendit që ka sektori i energjisë, kam besimin që deputetët e kuvendit pavarësisht nga përcaktimet dhe grupimet politike aktuale, do të japin kontributin e tyre në përmirësimin e dokumentit apo kthimin e tij për rishqyrtim.

Aq me tepër nevoja që të kemi një dokument të mirëfilltë për sektorin e energjisë shtohet edhe më nëse marrin për bazë rrethanat e krizës botërore energjetike, në njërën anë dhe përkushtimit e madh të BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, në të gjitha dimensionet e sektorit të energjisë dhe jo vetëm, përfshirë edhe me një plan financimi si kurrë më parë në histori.

Gjithashtu edhe rrethanat aktuale në nivelin nacional,  shtojnë nevojën dhe kërkojnë angazhim e të gjitha grupeve të interesit duke përfshirë edhe Qeverinë e Kosovës, që të punojnë me një qasje bashkëpunuese proaktive me objektiv për t’i shtuar vlerë të mëtejshme dokumentit mbi bazën e rolit të Kuvendit sipas përgjegjësive që i jep Ligji i energjisë. 

Ajo që duhet të kenë parasysh të gjithë është se, nuk guxojmë që të  sakrifikojmë cilësinë e dokumentit për shkak të afateve kohore të miratimit të saj.

Andaj, apelohet që kritika të kuptohet si instrument i nevojshëm dhe i duhur për përmirësimin e dokumentit për aq sa është i nevojshëm dhe i mundur, në mënyrë që institucionet shtetërore dhe të gjitha ata që kanë detyrime të zbatimit të kësaj Strategjie të kenë një referencë të qartë që do të burojë nga miratimi i saj në kuvend.

Meqenëse deputetët e kuvendit janë ata që me votën e tyre në fund i hapin rrugën implementimit të strategjisë, kjo nënkupton se ky institucion merr përsipër autorësinë e versionit final të miratuar prej tij.  Ky fakt është i mjaftueshëm për të nxitur bashkimin e potencialit për të dhënë kontributin e përbashkët cilësor brenda kapaciteteve të parlamentit duke kërkuar edhe mbështetje profesionale që i lejojnë procedurat.

Kostoja e lartë, sfida kryesore e implementimit

Një nga sfidat kryesore të implementimit të strategjisë është edhe kostoja e saj. Kostoja e implementimit të kësaj strategjie, është përllogaritur afërsisht 3.6 miliardë euro apo mesatarisht 360 milion euro në vit. Vënia në qarkullim e gjithë këtij buxheti, kthimi i një pjesë të madhe e të cilave bien direkt mbi barrën e konsumatorit të energjisë, kërkon një dizajn politikash sa më efiçiente në njërën anë dhe sa më gjeneruese në zinxhirin ekonomik në anën tjetër.

Për të gjitha investimet në gjenerim dhe rrjete pavarësisht se a sigurohen nga  sektori publik apo privat, barra e kthimit të tyre do të  bie mbi konsumatorin me përjashtim të pjesës që vjen prej granteve.

Prandaj identifikimi dhe përcaktimi i politikave implementuese duhet të jenë të fokusuara në ato që gjenerojnë më shumë punësim.

Po ashtu, këto politika dhe masa duhet të jenë sa më kompatibile me politikat e BE-së dhe donatorëve në mënyrë që të jemi sa më konkurrentë për qasje në fondet e shumta ndërkombëtare të planifikuara për Ballkanin Perëndimor në mënyrë që barra e kostove të reformës së sektorit të energjisë të jetë sa më e lehtësuar për konsumatorët dhe taksapaguesit.

Informacionet mbështetëse, analizat dhe studimet e nevojshme për strategjinë

Një nga mungesat kryesore që vërehet lehtë, nga një lexim i thjeshtë, është mungesa e një baze të mjaftueshme të informacionit mbështetës për përcaktimin e objektivave dhe masave për arritjen e tyre.  

Ka pak referenca në dokumente të analizave, hulumtimeve dhe studimeve përkatëse. Kjo dukuri nuk është vetëm në këtë dokument por edhe në shumë të tjera dhe nuk është vetëm e kësaj qeverie por edhe në të kaluarën dokumentet nuk e kanë pasur një bazë të qëndrueshme informacioni të besueshëm.

Kjo, është një çështje që duhet mbajtur shënim në mënyrë që në të ardhmen të përmirësohet procesi i hartimit të dokumenteve strategjike, dhe domosdo ka nevojë për një reformë edhe në këtë drejtim.

Me një fjalë planifikimet e hartimit të strategjive duhet të përfshijnë sigurimin e analizave, hulumtimeve dhe studimeve qartësisht të dedikuara procesit të hartimit të strategjive dhe vetëm pas kësaj të filloj hartimi i dokumenteve të tilla.

Duket sikur hartuesi i strategjisë së pari ka vendosur një cak të pjesëmarrjes së BRE-ve në sistemin e energjisë elektrike e më pas ka kalkuluar kapacitetin e nevojshëm për arritjen e atij caku.  Ndërkaq nuk ofrohet informacion  se cili do të jetë çmimi i energjisë elektrike që do të paguaj konsumatori në faturën e të cilit mblidhen e gjithë kostoja për arritjen e cakut.

Për integrimin e BRE-ve variabile (erë dhe diell), në sistemin e transmetimit dhe shpërndarjes duhen bërë investime të mëdha për t’iu përshtatur nevojës së integrimit të tërë kësaj energjie duke pasur parasysh kufizimet e mëdha që ka sistemi jonë aktual energjetik dhe burimet natyrore të kufizuara fleksibile. Pavarësisht se rol pozitiv do të ketë hapja edhe më e madhe e tregut dhe integrimin i tij siç është përcaktuar në këtë strategji.  Me gjithë hapjen më të madhe dhe forcimin e integrimit të tregut, duke qenë se kriza energjetike tashmë ka krijuar një situatë të re edhe në tregun rajonal që është i lidhur edhe me tregun evropian.

Dhe një sasi shumë e madhe që ka ardhur nga tregu i Rusisë do të zvogëlohet t në mënyrë drastike vitet në vijim, nuk është e pritshme që të ketë kthim të shpejtë e aq më pak në nivelin e para vitit 2021 të çmimeve të energjisë në rajon.

U tha edhe më sipër se dokumentit i mungon informata qenësore e bazuar në ndonjë vlerësim sa do të përafërt që të jetë se sa do të duhet të paguaj në muaj për një KWh konsumatori i energjisë elektrike.

Kjo do të krijonte një bazë më të mirë edhe për definimin e politikave sociale përkatësisht ndikimin e politikave të energjisë në to dhe marrjen e masave të përshtatshme nga Qeveria për të zbatuar reformën e energjisë pa shkaktuar dëme në ekonomi dhe aspektin social.

Politikat strategjike për gazin natyror

Një fakt tjetër që bie në sy është se si hartuesi i Strategjisë ka bërë një lojë fjalësh për të mos thënë asgjë sa i përket masave dhe politikave për gazin natyror.

Shihet qartë se nuk ka pasur një qasje strategjike rreth kësaj çështje, por mjaftohet me një informacion të zhvillimeve të planifikuara që lidhen me studimet në zhvillim e sipër dhe për disa aktivitete të kohëve të fundit që po zhvillohen në nivelin rajonal.

Po ashtu lihen anash, studimet e thelluara nga EBRD (Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rekonstruktim) dhe disa të tjera që kohëve te fundit po nga donatoret kredibil po zhvillohen studimet për gazin natyror që janë në një faze shumë të avancuar, që do të përbënin një bazë të qëndrueshme për të formuluar një politikë strategjike afatgjatë për gazin natyror përfshirë disa hapa strategjik që do të duhej të ishin pjesë e dokumentit.

Kjo strategji kështu si është e definuar i thotë Qeverisë të merr vendim për gazin natyror pasi të përfundojnë studimet ndërkohë që dokumenti i Strategjisë është ai i cili duhet përcaktoj politikat strategjike dhe veprimet kryesore të cilat duhet të zbatojnë organet ekzekutive, sikurse është përcaktuar edhe në Ligjin për energji (neni 6 paragrafi 5).

Këtu duhet shtuar faktin se dy projekte të Gazit Natyror aktualisht janë ende në fuqi në Listën Prioritare të Komunitetit të Energjisë (ALKOGAP dhe Gaz sjellësi Maqedoni i Veriut-Kosovë)

Mënyra se si është formuluar teksti dhe konteksti lidhur me gazin natyror të krijon përshtypje  sikur qëllimisht është bërë konfuze dhe nuk saktëson qartësisht pozicionin strategjik.

Strategjia nuk jep orientim të qartë për gazin në kohën kur edhe Kosovës po i afrohen më shumë se kurrë mundësitë që të bëhet pjesë e rrjetit rajonal të gazit natyror, dhe kur gjithashtu edhe vendet që kanë diversifikim të madh të burimeve po ngarendin që të përfitojnë për të qenë pjesë e nismave dhe projekteve rajonale për të shtuar kapacitetet e rrjetave të tyre të gazit natyror dhe diversifikuar ato.

Pra, ajo që kërkohet në lidhje me gazin natyror në Strategjinë e Energjisë, është një riformulim dhe qartësim i politikës strategjike për gazin natyror.

Analizat do të duhej të marrin parasysh efektet e gazit natyror në reduktimin e kërkesës për energji elektrike sidomos me përdorimin e gazit natyror në ngrohje qendrore dhe në industri në zona të afërta me linjën e gazit.

Nëse gazi natyror në analiza nuk është marre parasysh edhe nga këndvështrimi i ndikimit në uljen e kërkesës për energji elektrike atëherë është bërë gabim që duhet gjetur mënyrën e përmirësimit dhe reflektimin përkatës në këtë dokument.

Mungesa e planifikimeve për sistemet e ngrohjes qendrore dhe paqartësitë për rehabilitimin e sistemeve ekzistuese

Edhe për sa i përket zhvillimit të ngrohjeve qendrore në qytetet e mëdha të urbanizuara që aktualisht janë pa sisteme të ngrohjeve qendrore, kjo strategji nuk adreson politika strategjike por ofron përshkrim të procesit të hartimit të studimeve.  

Strategjia është më e qartë vetëm sa i përket zgjerimit të kapaciteteve ekzistuese, por jo edhe për zhvillimin e kapaciteteve të reja.

Kur është në pyetje guximi në përcaktimin e politikave strategjike vërehet një anomali logjike në këtë strategji që procesin e mëtejmë duhet adresohet. Strategjia guxon që të bëjë parashikime dhe planifikime strategjike për Rehabilitimin e TC Kosova A dhe për përcaktimin e trageteve për BRE dhe EE edhe pse nuk ka studime fizibiliteti, ndërsa  nuk e bënë një gje të tillë për gazin natyror edhe pse ka studime të tilla.

Ka paqartësi gjithashtu edhe rreth përzgjedhjes së rehabilitimit të një bllokut/qeve të njësisë TC Kosova A.

Nga të gjithë këto, është e kuptueshme se rrethanat e sigurisë së furnizimit me energji elektrike në Kosovë janë tejet të vështira.

Marrja e masave të përshtatshme afatshkurta deri në afatmesme, për të siguruar furnizim me energji elektrike janë shumë të kufizuara, sfiduese dhe hartuesi i strategjisë e ka pasur shumë të vështirë për të ofruar zgjidhje afatmesme deri afatgjatë të përshtatshme për të siguruar të paktën energjinë bazë të besueshme.

Të vetmet alternativa që do të mund të merreshin për bazë në analiza krahasuese të opsioneve do të mund të ishin:

  • Të rehabilitohen kapacitetet ekzistuese gjeneruese nga thëngjilli;
  • Të mbyllen kapacitet që e kanë kaluar jetëgjatësinë dhe të importohet energjia e munguar;
  • Të ndërtohen kapacitete të reja me thëngjill apo me gaz natyror;
  • Të ulet në mënyrë drastike dhe shumë shpejt kërkesa për energji elektrike deri në masën e energjisë së munguar në rast të aplikimit të masës për mbylljen e TC Kosova A.

Përderisa rehabilitimi i blloqeve përbën një nga politikat strategjike qendrore të Strategjisë, nuk ka një përshkrim të qartë se në çka konsiston ky rehabilitim?

A është  vetëm kaldaja apo të gjitha komponentët e sistemit të gjenerimit prej trajtimit të thëngjillit dhe deri te transformatori?

Cili model rehabilitimi do të aplikohet? Riparim i komponentëve bazë të sistemit të prodhimit, zëvendësim i tyre me të reja, modernizim apo eko-modernizimi?

Cilët shembuj të teknologjive të ngjashme janë marrë në parasysh?, dhe pikëpyetje tjera të ngjashme.

Mbi të gjitha, ka nevojë të elaborohet jo në detaje, por deri në një masë se si një teknologji e viteve 60–ta mund të revitalizohet deri në atë masë sa të arrijë parametrat e operimit në përputhje me kërkesat e BE-së?

Gjithashtu nuk ka referenca, studime dhe analiza krahasuese as për aspektet e kostos mjedisore?!

Këto informacione shpjeguese dhe referencat konkrete të analizave dhe studimeve duhet të jenë pjesë e kësaj strategjie.

Bazuar në këto mangësi, hartuesi i strategjisë do të duhej që të paktën të parashihte rrezikun që lidhet me të panjohurat dhe pasiguritë e shumta që ka një politikë e tillë e sigurimit të furnizimit me energji elektrike.

Strategjia do të duhej të ofronte një plan alternativ në rast dështimi të realizimit të projektit brenda një afati të caktuar kohor, në mënyrë që të filloj menjëherë aplikimi i planit B strategjik.  

Kur kësaj i shtojmë faktin se TC-ja e rehabilituar do të përdoret vetëm si rezervë strategjike, atëherë cila është leverdia ekonomike që të rehabilitohet deri në shkallën e parametrave mjedisor, sikur të një termocentrali të ri, një termocentral që do të punojë në regjimin e plotë vetëm 4 vite dhe me pas në një regjim të përkohshëm vetëm tre muaj në vit?!

Modeli i  operimit në statusin e rezervës strategjike (vetëm tre muaj në vit dhe eventualisht në rrethana krizash energjetike sikur kjo e fundit) që po synohet të aplikohet për here të parë në historinë e zhvillimit të sektorin elektro energjetik, duke qenë i panjohur.

Kjo gjë strategjisë do të duhej t’i  jepte më shumë shpjegim për mënyrën e menagjimit dhe kostove të mirëmbajtjes kur qëndron në Stand By dhe të informonte se a janë marrë në konsideratë në analizat e këtyre kostove me rastin e analizës së skenarëve?

Për shkak te rëndësia strategjike të dokumentit është dashur që në procesin analitik mos bëhen përjashtime të opsioneve siç është ai i një centrali të ri me thëngjill i cili do të operonte të paktën deri me 2045, në kushte mjedisore kompatibile me kërkesat më të larta të BE-së (BAT-Teknologjia më e Mire në Dispozicion).

Po ashtu Strategjia nuk jep informacion se a është konsideruar skenari i gjenerimit të energjisë termike (e mbase si kombinim me elektrike për gjenerimin e energjisë së ngrohjes) për sistemet e termofikimit në komunat e mëdha që do të ndikonte shumë në uljen e kërkesës për energji dhe nevojën për centrale të reja elektrike.

Modernizimi i sistemit dhe burimet njerëzore

Modernizimi i sistemit të shpërndarjes është fokusuar kryesisht në uljen e humbjeve teknike dhe komerciale ndërkohë që strategjia mbështetë një politikë mjaft agresive të rritjes së pjesëmarrjes së BRE-vë, që ka ndikim të jashtëzakonshëm në rrjetin e shpërndarjes dhe atë të transmetimit.

Nevojat për përshtatjen e tyre ndaj kësaj sfide janë të mëdha dhe të kushtueshme që kërkojnë një mobilizim shumë dimensional por që nuk janë shpjeguar nga këndvështrimi konkret i sistemeve te shpërndarjes dhe transmetimit por janë paraqitur ne forme të përgjithshme.

Përveç kostove të mëdha të investimeve për përshtatjen e rrjeteve dhe sistemeve, ato kërkojnë edhe investime për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore. Kjo gjë kërkon kohën e vet, prandaj  do të duhej të zinte vend Strategji si një referencë për procesin e mëtejshëm të implementimit, duke qenë se politikat që kanë efekte të mëdha në kostot e sistemeve duhet të përcaktohen në dokument dhe më pas të shërbejnë si bazë për operatorët dhe rregullatorin për caktimin e tarifave që lidhen me kostot.

Ky element i qenësishëm i dokumentit përbën arsyen kryesore që Strategjia e Energjisë duhet të miratohet në Kuvend dhe se çdo devijim në projektet e rëndësishme duhet të miratohet në Kuvend sepse prek direkt konsumatorin në tarifa të energjisë.

Masat për nxitjen e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë

Për sa i përket politikave dhe masave të nxitjes së Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë, politika është më e qartë në përcaktimin e kapaciteteve prodhuese të erës dhe diellit në shkallë të madhe ndërsa ka pak informacion për gjenerimin nga konsumatorët vet-prodhues, për natyrën e politikave nxitëse,  masave dhe grupet e synuara të përfitimit nga këto politika.

Si është përcaktuar targeti së paku 100 MW për konsumatorët vet prodhues?

Nuk shihet ndonjë referencë për analizën se si është bërë një ndarje e tillë e kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga gjenerator fotovoltatik nga investitorët (600 MW energji nga gjeneratorët fotovoltaik) dhe nga konsumatorët vet prodhues (së paku 100 MW).

Nuk duket të jetë bërë ndonjë studim apo vlerësim analitik për të përcaktuar leverdinë ekonomike për ekonominë e vendit dhe për konsumatorët.

Është e domosdoshme të shihet se sa leverdi ekonomike ka nga 600 MW nga gjeneratori fotovoltaik dhe sa nga 100 MW nga konsumatorët e shpërndarë vet prodhues.

Cilat janë përfitimet shumë dimensionale të së parës ndaj të dytës?

Është e logjikshme të besohet se përveç kostove më të mëdha që ka përshtatja e sistemit të shpërndarjes për menaxhimin e rrjedhave të energjisë nga konsumatorët vet prodhues, për aspektet tjera siç janë ato  ekonomike e sociale.

Investimi në mbështetjen e gjenerimit nga konsumatorët vet prodhues është shumë më i leverdishëm duke qenë se ulë kërkesën për energji elektrike, ulë kostot e energjisë që merr nga rrjeti dhe me këtë bizneset bëhen më konkurrues, rritë punësimin në sektorin e shërbimeve, rritë kapacitetet e konsumatorëve për të vepruar si tregtar, dinamizon tregun e energjisë etj.

Prandaj duke qenë një nga politikat më sensitive pa cenuar cakun që përcaktohet në këtë strategji, duhet të rishikohet seriozisht shkalla e mbështetjes së konsumatorëve vet prodhues në totalin e kapacitetit te targetuar.

Të paktën, kjo strategji duhet të mundësoj që të mbështeten konsumatorët vet prodhues në një shkallë deri 300 MW deri në 2031 duke përfshirë sektorin e amvisërisë, komercial, shërbimeve dhe të industrisë.

Rëndësi të veçantë duhet ti kushtohet modernizimit dhe digjitalizimit të sistemit të shpërndarjes dhe kjo është një sfidë që duhet evidentuar por me synim që në periudhë pas 2025 t’i jepet hov.

Strategjia duhet te përcaktoj edhe politikat nxitëse te BRE-ve edhe në sektorët tjerë ekonomik dhe jo vetëm ne sektorin e energjisë sepse përgjegjës për përcaktimin e politikave te sektorit te energjisë është vetëm ministria përgjegjëse për energji. Ne rastin konkret kjo strategji duhet te përcaktoj politikat e BRE-ve në transport, në mjedis që lidhet me mbeturinat dhe në bujqësi e pylltari.

Dekarbonizimi dhe Efiçienca e Energjisë

Kur hartuesi i Strategjisë ka përcaktuar dekarbonizimin si një nga boshtet rreth të cilit shtjellohen politikat dhe masat e Strategjisë së Energjisë, Efiçienca e Energjisë do të duhej adresonte politika të qarta e të mbështetura në analiza dhe studime të besueshme dhe t’iu adresohej atyre. 

Përveç caqeve të maksimale të konsumit të energjisë, kursimeve dhe rritjes se kapaciteteve të rrjetave ekzistuese të sistemeve të ngrohjes qendrore pothuaj se është e thatë dhe e papërshtatshme për të orientuar implementuesit e saj për të përcaktuar aktivitete dhe projekte të mirë-objektivizuara.

Përveç kësaj strategjia është fokusuar vetëm në sektorin e banimit dhe në atë të ngrohjes qendrore, ndërkohë që sipas legjislacionit në fuqi, mandati për përcaktimin e politikave të efiçiencës së energjisë në të gjithë resorët i përket ministrisë përgjegjëse për energji.

Është e vërtetë se në sektorin e banimit ka shumë potencial për reduktimin e kërkesës për energji dhe duhet të ketë një fokus më të madh, mirëpo edhe në të gjithë sektorët tjerë siç janë industria dhe transporti ka potencial kursimi dhe rrjedhimisht edhe reduktim të emisioneve të larta. Andaj kjo strategji është dashur të vendos targete por edhe politika dhe masa adekuate për të shërbyer si referencë në hartimin e dokumenteve dhe planeve implementuse.

Inovacioni si alternativë dhe thëngjilli si burim energjetik

Arsimi, shkenca, hulumtimi dhe inovacioni janë adresuar jo mjaftueshëm.  Përveç në të gjitha dimensionet e kësaj strategjie hulumtimi dhe inovacioni do të duhej të zinte vend të veçantë shfrytëzimi i thëngjillit përmes teknologjive të pastra. Kjo mund të adresohet përmes një Programi Nacional të nxitjes së hulumtimit dhe inovacionit në fushën e energjisë.

Politika strategjike  për minierën e thëngjillit mungon pavarësisht se adresohet në Strategjinë e Minierave. Thëngjilli si burim energjetik do të duhej të zinte vend në ketë dokument pavarësisht se Ligji për energjinë nuk e trajton thëngjillin por ligji për miniera.

Së paku strategjia do të duhet të adresoj çështjen e trajtimit të thëngjillit si një sektor ekonomik industrial për prodhimin e produkteve te ndryshme, apo edhe ndoshta edhe do të kërkonte që të kishte një ligj të veçantë për thëngjillin.

Aspektet mjedisore

Edhe pse sipas Ligjit për Vlerësimin Strategjik Mjedisor (VSM), planet dhe programet për sektorin e energjisë do të duhet ti nënshtrohen këtij vlerësimi, kjo nuk ka ndodhur me Strategjinë e Energjisë.

Vlerësimi Strategjik Mjedisor (VSM) për planet dhe programet realizohet atëherë kur ekziston mundësia që realizimi i tyre të shkaktojë dëme të konsiderueshme në mjedis.

VSM është një mjet i rëndësishëm procedural për vlerësimin e ndikimeve të mundshme mjedisore dhe shëndetësore të planeve, politikave, programeve dhe dokumenteve të tjera strategjike, siç janë politikat kombëtare të energjisë.

Rezultatet e VSM-së përdoren për të këshilluar planifikuesit, vendimmarrësit dhe palët e interesuara për çështjet e mundshme mjedisore që lidhen me propozimet strategjike.

Hartimi i raportit për VSM është i detyrueshëm për planet dhe programet nga fusha e planifikimit hapësinorë dhe urbanistik, në shfrytëzimin e tokës, bujqësisë, pylltarisë, peshkatarisë, energjetikës, industrisë, minierave, komunikacionit, menaxhimin e mbeturinave, menaxhimin e ujërave, telekomunikacionit, turizmit, - të cilat japin kornizën për zhvillimin e ardhshëm të projekteve të cilat i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në mjedis në përputhje me Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis si dhe për planet dhe programet të cilat duke marrë parasysh lokacionin në të cilin realizohen, mund të ndikojnë në zonat e mbrojtura, në habitatet natyrore dhe në florën e faunën e egër.

Pyetje dhe dilema?

Përveç çështjeve të prezantuara më lartë në dokument mbeten edhe shumë pyetje dhe dilema që do të duhej të kishin një përgjigjeje konkrete.

Disa nga më të rëndësishmet janë edhe këto si në vijim:

  • A mundë të ketë Kosova një sektor energjetik pa CO2 deri në vitin 2050, të integruar në tregun Pan-Evropian, dhe që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët?
  • Sa do të jete pjesëmarrja e energjisë së gjeneruar në vitin 2050 dhe cilat burime energjetike do të dominojnë?
  • A është e mundur zhvillimi i kapaciteteve të reja të BRE-ve të erës dhe fotovoltaike, për të arritur një kapacitet të përgjithshëm të instaluar të BRE-ve prej së paku 1400 MW deri në 2031?
  • Sa është efiçienca respektivisht shkalla e shfrytëzimit e paneleve footovoltaike dhe gjeneratorëve të erës?
  • Sa planifikohet të ketë gjenerim nga BRE, kur dihet shkalla e ulët e efiçiencës së burimeve të tillë?
  • A ka ndonjë studim mjedisor se çfarë do të ndodhë me beteritë pas 5-7 viteve, dhe se çfarë do të ndodhë me panelet fotovoltaike pas 20-25?
  • Për promovimin e cilave sistemeve të kogjenerimit efiçient dhe ngrohjes qendrore efiçiente, flet strategjia dhe nëse do të kemi dekarbonizim total deri në vitin 2050, çfarë sistemi i kogjenerimit do të përdoret?
  • A është e mundura arritja e kursimit kumulativ të energjisë prej 283 ktoe në ndërtesa, përfshirë ndërtesat publike, private dhe komerciale deri në vitin 2031 dhe cili lloj i energjisë planifikohe të kursehet?
  • Pse në strategji nuk ka asnjë planifikim që do të shqyrtonte mundësitë e shfrytëzimit të  energjisë nga hidrogjeni i gjelbër?
  • Pse nuk ka asnjë propozim apo sugjerim për të shikuar mundësitë e bashkëfinancimit me Shqipërinë në projekte të rëndësishme rajonale?
  • Pse nuk ka asnjë parashikim për nevojat infrastrukturore dhe energjetike për ndryshimet që duhet behën në përshtatjen me nevojat e automjeteve elektrike?
  • Pse nuk  ka ndonjë planifikim konkret se çka do të ndodhë me tranformimin e KEK gjatë procesit të dekarbonizimit? 

Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë


Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...

Lexo më shumë...

Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...

Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...