Mësuesit tim Jakup Krasniqi!
07,03.2022- Gjatë viteve të 80-ta, kur isha nxënës i mësimit fillor në vendlindjen time, Jakup Krasniqi ishte mësuesi im i lëndës së Historisë. Nga ai pata rastin të mësojë për veprimtarinë atdhetare të shumë personaliteteve tona kombëtare dhe për qëndresën heroike të popullit shqiptar ndër shekuj.
Gjatë vitit 1981, kur unë isha nxënës i shkollës së mesme, me Jakup Krasniqin u takuam në rrethana tjera, si pjesë e organizimit të demonstratave për Kosovën Republikë, që u mbajtën në Komunën e Drenasit, ku ai vazhdonte të kryente punën e mësuesit por edhe të kontribuonte në lëvizjen kombëtare për çlirim.
Pas këtyre demonstratave dhe angazhimeve, Jakup Krasniqi burgoset krahas shumë mësuesve të tjerë që ishin pjesë e lëvizjes kombëtare dhe vuan dënimin me burg për 15 vite.
Vitet e 90-ta e gjejnë Jakup Krasniqin, sërish në misionin për të kontribuar në arsim. Kësaj radhe ai ishte në krye të angazhimeve për organizimin e arsimit paralel shqip në komunën e Drenasit. Falë angazhimit dhe punës së palodhshme të tij arsimi shqip në Drenas dhe më gjerë u mbajt financiarisht dhe profesionalisht dhe ishte arma më e fortë e shqiptarëve të Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore.
Ai arriti që të mobilizojë përreth tij jo vetëm mësuesit por edhe intelektualë dhe shtresa tjera të popullatës në procesin e organizimit të ilegales dhe në përgatitje të rezistencës së armatosur për liri. Edhe gjatë kësaj kohe kisha rastin dhe mundësinë të punoja dhe të veproja së bashku me Jakup Krasniqin në këto procese të rëndësishme për vendin.
Me fillimin e luftës së UÇK-së, zëri i mësuesit Jakup Krasniqi, bëhet zëri i luftës çlirimtare të Kosovës. Në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së dhe anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm, ai dha kontribut të çmuar në adresimin dhe në artikulimin e kërkesave politike të UÇK-së për liri dhe pavarësi. Edhe gjatë kësaj periudhe kohore pata mundësinë të jem krah Jakup Krasniqit deri në përfundim të luftës çlirimtare.
Pas luftës, Jakup Krasniqi do të vazhdojë kontributin e tij në ndërtimin e vendit dhe në shpalljen e pavarësisë duke qenë bartës i shumë funksioneve të rëndësishme të institucioneve të Kosovës.
Misioni i mësuesit tim Jakup Krasniqi, nuk ka përfunduar as sot. Ai po vazhdon të kryejë prapë një mision tjetër po aq të rëndësishëm dhe të shenjtë për Kosovën. Misionin për të mbrojtur personalitetin e mësuesit luftëtarë të UÇK-së, misionin për të vërtetuar se lufta e jonë ishte e drejtë dhe çlirimtare, ishte luftë e shenjtë dhe që nuk mund të përbaltet nga askush.
Jakup Krasniqi, përfaqëson me plot kuptimin e fjalës idealin e mësuesit atdhetar dhe të palëkundur i cili gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të vendit, në shërbim të arsimit, në shërbim të lirisë dhe në shërbim të shtet ndërtimit.
Mësuesi im Jakup Krasniqi, Gëzuar Dita e Mësuesit!
Qëndro i palëkundur ashtu sikur ke ditur të qëndrosh gjithmonë krenarë përballë sfidave.
Nga Ferat Shala, me rastin e shënimit të 7 marsit – Ditës së Mësuesit
Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...Lexo më shumë...
Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....Lexo më shumë...
Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....Lexo më shumë...