Kriza energjetike në Kosovë - Pse jemi në këtë gjendje dhe cilat janë opsionet e daljes nga kjo situatë?
Nga Dr.sc. Ferat Shala, shkrim autorial i botuar në numrin festiv të gazetës “Epoka e re”
31.12.2021- Kosova gjatë muajve të fundit po përballet me një krizë energjetike e cila nuk ka qenë e tillë në dhjetëvjeçarin e fundit. Është fakt që një krizë e tillë energjetike po mbretëron edhe në Evropë dhe më gjerë, por kriza energjetike e Kosovës dallon shumë nga kriza globale energjetike.
Derisa në Evropë dhe më gjerë kriza energjetike ka zanafillën në çmimin e lartë të energjisë në tregun ndërkombëtarë, në Kosovë kriza energjetike është e ndërlidhur me keqmenaxhimin, mungesën e vendimmarrjes së duhur institucionale, mungesën e planifikimit të qëndrueshëm afatshkurtër dhe afatgjatë dhe me politikat e gabuara të qeverisjes aktuale në sektorin e energjisë.
Kriza energjetike në Kosovë, është e ndërlidhur me mungesën e vizionit dhe me qasjen neglizhente për situatën nga strukturat qeverisëse dhe mungesën e mobilizimit dhe organizimit ndërinstitucional për zgjidhjen e krizës.
Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj vartëse që kanë përgjegjësi në sektorin e energjisë, përkundër faktit se kanë bazë të mjaftueshme kushtetuese dhe ligjore për zgjidhjen e krizës, dhe përkundër që kanë në menaxhim të gjitha resurset teknike dhe humane për menaxhimin e krizës, deri me tani nuk ja kanë arritur ta bëjnë këtë.
Ajo çka e bënë situatën energjetike edhe më të rëndë në Kosovë, është hutia e kësaj qeverie e cila ende nuk ka përgjigje në pyetjet që vazhdimisht drejtohen në adresë të saj si: Kur dhe si do të dalim nga kjo krizë? Cilat dhe sa do të jenë pasojat ekonomike e financiare të kësaj krize? Sa dhe si do ta përballojnë qytetarët këtë situate? Si do ta kalojmë sezonin e dimrit përballë kësaj krize?
Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës, në vend që të ishte e orientuar në marrjen e vendimeve dhe planifikimin e daljes nga kriza, aktualisht është e orientuar në identifikimin dhe zbulimin e të ashtu quajturve “fajtorë të krizës”.
Një nga fajtorët e identifikuar nga qeveria për krizën janë konsumatorët (qytetarët), të cilët në fakt janë atë po i bartin më së shumti pasojat e mungesës së energjisë dhe problemet në jetën e përditshme që shkakton mungesa e energjisë qofshin ato sociale apo ekonomike. Në këtë situatë të pashpresë dhe në mungesë të opsioneve për zgjedhjen e problemit, për çudi dolën si prioritet i zgjidhjes së problemit thirrjet e vazhdueshme të institucioneve përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës, drejtuar qytetarëve për kursim të energjisë dhe mos përdorim të saj për ngrohje në sezonën më të ftoftë të vitit. Në tërë këtë amulli të mungesës së energjisë, konsumatori po kërcënohet edhe me paralajmërimin e shtrenjtimit të çmimit të energjisë.
Pra Qeveria aktuale, në vend që të ofrojë përgjigje në pyetjet për zgjidhjen e krizës energjetike dhe në vend që të marrë përsipër fajin dhe ti qaset me seriozitet zgjedhjen e problemit, po mundohet që fajin te zhvendosë tek qytetarët dhe tek ish qeveritë e kaluara.
Mirëpo nëse e analizojmë procesin e zhvillimit të kapaciteteve energjetike do të shohim që ishte pikërisht partia që ka pushtetin dhe oponentët e saj pengesa kryesore në zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike të bazuara në thëngjill, qoftë përmes lobimit kundër këtyre projekteve apo edhe përmes bllokimit të vendimeve për këto projekte.
Një tjetër fajtor i krizës sipas Qeverisë së Kosovës ishin edhe “çmimet e larta të energjisë ne tregun ndërkombëtarë”. Një qeveri e përgjegjshme do të duhet të kishte kontrata të gatshme dhe me çmime të volitshme të blerjes së energjisë dhe jo të arsyetohej se shkaktari i krizës ishin çmimet e larta në tregjet globale, që pësuan rritje vetëm në muajt e fundit.
Kësaj krize i kontribuuan edhe disa vendime që u morën në kohën e fundit nga Qeveria, por që u shquan me mungesë transparence dhe të cilat ishin të pamenduar mirë. Të tilla ishin vendimet për ndarjen e 20 milion euro për KEK-un pa asnjë bazë ligjore, para këto që duhet të kalojnë nga KEK-u tek KEDS, ndarja e 20 milion euro për dividentin e KOSTT-it, mjete këto të cilat u munduan të kamuflohen tash e 6 muaj në retorikë popullsitë, si dhe mungesa e gjetjes së një zgjidhje të qëndrueshme për mbulimin e humbjeve të energjisë në veri të vendit.
Në raport me menaxhimin e situatës emergjente të krizës së energjisë Qeveria e Kosovës do të duhej që:
- Të shpallte menjëherë gjendje emergjente të jashtëzakonshme – mbështetur në legjislacionin në fuqi;
- Të ishte transparente para opinionit dhe qytetarëve, për çdo vendim dhe transaksion qeveritar;
- Të ndërpresë urgjentisht gjuhën fyese të komunikimit me konsumatorët (qytetarët);
- Të dalë përtej konceptit dhe mentalitetit qeverisës të VV-së, dhe të formojë trupa profesionale për sektorin e energjisë, që do të menaxhonin gjendjen e jashtëzakonshme.
- Të hartoj urgjentisht një plan veprimi afatshkurtër, që të përballojë sfidat dhe pasojat e kësaj krize.
Vonesa dhe paqartësia në orientimin e investimeve në sektorin e energjisë janë një problem tjetër që ka prejardhjen pikërisht nga qëndrimet konfuze të Qeverisë së Kosovës. Kosova po vazhdon të vuaj nga mungesa e investimeve që do të diversifikonin prodhimin dhe miksin energjetik, e cila do të mundësonte ofertën e brendshme më të lirë dhe të përballueshme për qytetarët.
Vonesa në reformat për skema mbështetëse për burime të ripërtëritshme të energjisë dhe të investimeve strategjike përmes programeve konkrete në efiçiencë të energjisë, janë vazhdimësi e politikave dhe vendimeve jo të qëndrueshme dhe pa vizion të kësaj qeverie.
Zbrazëtirat ligjore që ndërlidhen me miratimin e ligjeve përkatëse sikurse është ai për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë dhe hapjen e tregut të ankandeve për investime në burimet e ripërtritshme nga investitorët potencial, si dhe zbatimi i skemave të subvencionimit, vazhdojnë të jenë ndër pengesat kryesore të këtij sektori.
Përveç menaxhimit të dobët të krizës aktuale energjetike, kjo qeveri shfaqi probleme edhe sa i përket planifikimeve për të ardhmen. Një e tillë ishte qasja e kësaj qeverie me projektet e reja energjetike dhe mungesa e transparencës lidhur me procesin e vendimmarrjes për projektin e gazit natyror të mbështetur nga SHBA përmes MCC. Duke refuzuar këtë projekt pa ndonjë arsyetim të mirëfilltë kjo qeveri i ka shkaktuar vendit dëme shumë të mëdha në sektorin e energjisë.
Projekti i ndërtimit të infrastrukturës së gazit, pavarësisht prejardhjes së tij dhe rrugëve prej nga do të vijë do të duhej të ishte prioritet i vendit, jo vetëm sepse Kosova ka mungesë të infrastrukturës për këtë sistem, por edhe për shkak të perspektivës së të ardhmes dhe mundësive të shfrytëzimit të këtij gazi jo vetëm për prodhimin e energjisë elektrike, por edhe për ngrohje dhe për nevoja të amvisërisë.
Përfitimet tjera që mundë të sillte një projekt i tillë janë edhe diversifikimi i burimeve të energjisë, duke i ofruar konsumatorëve edhe një alternativë tjetër dhe me një çmim më të arsyeshëm, duke rritur mundësinë e kursimit të energjisë eklektike dhe duke shërbyer si një alternativë mbështetëse afatgjate përgjatë periudhës derisa të behën investimet e duhura në energjinë alternative dhe në procesin e tranzicionit energjetik.
Në anën tjetër dëmet që i shkaktohen vendit në mos zbatimin e këtij projekti janë të ndërlidhura edhe me ndotjen që do shkaktohet nga përdorimi i thëngjillit për prodhim të energjisë dhe për ngrohje por edhe përjashtimi nga lidhja me projektet evropiane dhe globale të infrastrukturës së gazit që kanë synim për të sjellë një siguri energjetike në tregun e rajonit.
Qeveria përkatësisht Ministria e Ekonomisë, përmes një plani të veprimit, do të duhej t’ju përgjigjes edhe kërkesave të progresit teknologjik, teknologjive të reja të gjenerimit të energjisë, si dhe të fillonte dialogun drejt ekonomisë së karbonit të ulët.
Kësaj qeveri i ka munguar edhe një plan konkret që do të kishte në zhvillimin normal të sektorit energjetik duke vendosur një balancë ndërmjet mekanizmave të tregut dhe aspekteve teknike/teknologjike dhe menaxhimit të energjisë.
Mundësi reale së paku deri në vitin 2050, për Kosovën do të duhet të ishte edhe valorizimi i burimeve të saja energjetike përmes fisnikërimit dhe gazifikimit të linjitit, si opsione për të garantuar sigurinë e furnizimit dhe reduktimin e ndikimit negativ në mjedis. Në kuadër të kësaj, do të duhet të mbështetej KEK si gjeneruesi kryesor i energjisë, në reforma strukturore dhe teknologjike që do të përfshinin uljen e emetimeve në ajër, përmirësimin e teknologjisë së prodhimit, rritjen e efiçiencës, sigurinë e furnizimit dhe hapjes së tregut.
Duhet të duhet të punohej më shumë po ashtu edhe në ridizajnimin e tregut të energjisë elektrike, që do të kishte në fokus zhvillimin e konkurrencës së gjenerimit dhe të tregut përfshirë edhe tregjet ndërkufitare.
Kur flasim për bashkëpunimin ndërkufitarë, atëherë patjetër duhet të trajtohet me prioritet linja interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri. Ndërtimi i kësaj infrastrukture energjetike do t’i bënte të dy vendet të pasura me burime energjetike dhe të pavarura në aspektin e prodhimit të energjisë dhe pse jo edhe fuqi energjetike në rajon.
Në raport me planifikimin afatgjatë në sektorin e energjisë disa prej hapave dhe veprimeve që qeveria duhet ti trajtojë me prioritet janë:
- Hartimi i një strategjie afatgjate dhe të mirë menduar për dekarbonizimin e sistemit energjetike në linjë me potencialin që ka Kosova dhe në kërkesat e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimorë;
- Finalizimi i pakos Strategjike për sektorin e energjisë duke përfshirë miratimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 dhe Planit të Veprimit për Energji dhe Klimë;
- Rritja e investimeve në efiçiencën e energjisë me qëllim të uljes së konsumit të energjisë;
- Zbatimi i skemave dhe masave lehtësuese për konsumatorët dhe themelimi i Fondit të Konsumatorëve në Nevojë sipas kërkesave të Ligjit për Energjinë Elektrike;
- Fuqizimi i Fondin e Efiçiencës i cili do të ndihmojë qytetarët të përdorin alternativa të ngrohjes dhe do të mbështetëse projektet në këtë fushë;
- Dizajnimi i pakove mbështetëse për transformimin e sistemeve të ngrohjes dhe mbështetje e projekteve për sistemet e ngrohjes qendrore;
- Rritja e investimeve në burimet e ripërtritshme të energjisë dhe aplikimi i stimulimeve dhe subvencioneve për investitorët potencial.
- Hartimi i programeve të vetëdijesimit për efiçiencën e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisin nga konsumi i burimeve energjetike fosile.
Si përfundim, Qeveria e Kosovës, duhet të punoj paralelisht si në planin afatshkurtër edhe atë afatgjatë jo vetëm në zgjidhjen e krizës në sektorin e energjisë por edhe në zgjidhjen e krizës së marrjes së vendimeve të duhura për vendin.
Shkrimin në versionin pdf e gjeni edhe në portalin e gezestës “Epoka e re” në linkun vijues
https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/12/Epoka-31-dhjetor-2021-31.pdf
Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...Lexo më shumë...
Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....Lexo më shumë...
Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....Lexo më shumë...