Disa veprime të qeverisë Hoti bien ndesh me konceptin e shoqërisë sonë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka dhënë kritika për qeverinë aktuale. Në intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se disa veprime të qeverisë Hoti bien ndesh me konceptin e shoqërisë sonë. “Qeveria aktuale e ka humbur rrugën ende pa filluar punën”, është shprehur Shala, duke theksuar se shuarja e Taskë Forcës antikorrupsion është goditje ndaj politikave të përgjithshme të luftës globale kundër korrupsionit.
02.11.2020- Ai ka thënë se qeveria Hoti nuk ka treguar vullnet që të arrijë një kompromis sa i përket Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. “PDK-ja është partia e parë nga subjektet e tjera politike që ka ofruar paketën për rimëkëmbje ekonomike. Kjo paketë e PDK-së për rimëkëmbje ekonomike është injoruar skajshmërisht nga institucionet e shtetit”, ka thënë Shala, i cili në këtë intervistë ka folur edhe për ndërmarrjen “Trepça”. Ai ka pohuar se “Trepça” nuk mund të mbahet dhe zhvillohet me borde të përkohshme politike.
“Epoka e re”: Z. Shala, si e vlerësoni punën e qeverisë meqë u shfaqën mospajtime edhe brenda këtij koalicioni sa i përket shuarjes së Taskë Forcës?
Shala: Qeveria aktuale e ka humbur rrugën ende pa filluar punën. Praktikisht sot kemi disa veprime të saj që bien ndesh me konceptin e shoqërisë sonë, në të cilin më shumë mund është tentuar të ndërtohet një shtet dhe po tentohet që të ndërtohet shtet i së drejtës dhe i ligjit kundër korrupsionit. Në parim hapat e parë kjo qeveri i ka në goditjen e institucioneve të Kosovës që shteti ynë është munduar t’i ndërtojë përmes luftës kundër korrupsionit. Prandaj goditja e Taskë Forcës është goditje e drejtpërdrejtë që iu bëhet forcave të shëndosha në luftën kundër korrupsionit. Të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë dhe vendorë janë pajtuar që të kemi një mekanizëm institucional i cili do ta luftojë dhe ta çrrënjosë korrupsionin. Tani qeveria i goditë këta mekanizma. Tash shtrohet pyetja: Se ku do të na dërgojë ky koncept?, që është një gabim i madh strategjik, të cilin të tillë janë duke e konsideruar edhe partnerët tanë dhe zyra të caktuara të shteteve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo në një farë forme është goditje edhe ndaj politikave të përgjithshme të luftës globale kundër korrupsionit. Ka dhjetëra raste që institucionet tona nuk janë aktive në luftën kundër korrupsionit, por kemi vetëm pjesë demagogjike që bëhet. Në anën tjetër, asnjë veprim konkret zhvillimor apo social nuk e shohim përkundër një situate në të cilën gjendemi. Shikoni, as ligjet thelbësore pandemisë nuk po kalojnë. E gjithë kjo, në saje të mosangazhimit të institucioneve qeveritare për të pasur një koordinim dhe për të nxjerrë legjislacion të mirëfilltë.
“Epoka e re”: Pse PDK-ja nuk është duke e votuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike?
Shala: PDK-ja është partia e parë nga subjektet e tjera politike që ka ofruar paketën për rimëkëmbje ekonomike. Kjo paketë e PDK-së për rimëkëmbje ekonomike është injoruar skajshmërisht nga institucionet e shtetit. Qeveria aktuale nuk e ka vënë në diskutim paketën tonë ekonomike, por ajo ende mundohet të bëjë paralelizëm me një ligj jo të mirë. Atëherë si mund ta votojmë ne këtë ligj? Parimisht deri më tani kjo qeveri nuk ka pasur vullnet e as dije që të marrë mundin dhe të gjendet një kompromis për të mirën e ekonomisë së Kosovës, pra për ndërmarrësit dhe për kategoritë sociale që janë goditur nga pandemia Covid.
“Epoka e re”: Sa i përket mosvotimit për heqje të homologimit, në opinion qarkullojnë zëra se PDK-ja është e kapur nga “Devolli”. Po ashtu, kishte thirrje nga OEK-u që mos të votohet heqja e homologimit për shkak të ambientit.
Shala: Spekulimet nuk dua t’i interpretoj. Ne po presim që ligji për automjete të vijë sa më shpejt në Kuvend, pra të shohim se si ka mundësi të bëhet një ligj i mirëfilltë i cili e rregullon këtë fushë. Personalisht mendoj se Kosovës i duhet një ligj i mirëfilltë që disiplinon këtë sferë në shumë pika, jo vetëm te homologimi, por edhe të pjesa tjetër që nga hyrja e automjeteve, menaxhimi i tyre, bartja e pronësisë, pastaj çështja e automjeteve të vjetra që janë brenda Kosovës dhe automjeteve të paregjistruara, veçanërisht pjesa që lidhet me çështjen e sigurisë së automjeteve në fushën e komunikacionit. Kjo problematikë nuk zgjidhet për inate politike, qoftë nga pozita apo opozita. Kjo problematikë është në interes të përgjithshëm të vendit dhe duhet të debatohet hapur në mënyrë që ta përmirësojmë gjendjen e sigurisë në komunikacion, gjithashtu edhe situatën e hapjes së tregut. Ta liberalizojmë tregun dhe ta zbusim deri në minimum mundësinë e rrezikut në komunikacion.
“Epoka e re”: “Trepçës” i janë bllokuar xhirollogaritë për shkak të borxheve ndaj kreditorëve. Ndërkohë që keni thënë se dora e shtetit s’është vërejtur në këtë industri në kohë pandemie. Nga pikëpamja juaj, si duhet të veprohet me këtë aset?
Shala: Me “Trepçën” edhe qeveria e mëhershme, edhe kjo e tanishmja kanë bërë lojëra politike. Është rasti i dytë me shkarkim të bordeve të përkohshme. Qeveria Kurti e shkarkoi bordin e rregullt dhe e vendosi një bord të përkohshëm. Tani qeveria Hoti e shkarkon bordin e përkohshëm të qeverisë Kurti dhe vendos një bord të përkohshëm të kësaj qeverie. Do të duhej të punonin me logjikën ekonomike, shkencore dhe ligjore, sepse në dy mandate nuk po arrihet zgjedhja e një bordi të rregullt. “Trepça” nuk mund të mbahet dhe zhvillohet me borde të përkohshme politike. E aq më keq që bordi i deritashëm ishte i paligjshëm, sepse nuk ka pasur kuorum. Të gjitha vendimet që bordi i përkohshëm i qeverisë Kurti ka marrë, kanë qenë shkelje e paligjshme me pasoja të mëdha për ekonominë dhe “Trepçën”. Tani kemi të njëjtën logjikë me aktorë të njëjtë që luajnë me bordin tjetër të përkohshëm. Tani shtrohen këto pyetja: Pse nuk zgjedhet bordi i rregullt në ndërmarrjet publike, veçanërisht në “Trepçë”? Kush është duke penguar qeverinë që ta zgjedhë një bord të rregullt? Pse me kohë nuk ka vazhduar procedura e rregullt? Ka disa muaj që “Trepça” është pa bord të rregullt dhe tani nuk ka mjete financiare për paga të punëtorëve? Kujt po i konvenon kjo krizë sociale që po përgatitet në “Trepçë”? Pse po luhet me kategorinë më të ndershme dhe më sociale? Këto janë disa pyetje që qeveria Hoti do të duhej të jepte përgjigje. Bllokohet për 7 000 euro kontoja e një ndërmarrje që ka mbi 1 300 punëtorë. Është një krizë e thellë institucionale dhe minerare e atyre që menaxhojnë sot institucionet e Kosovës dhe “Trepçën”. Në asnjë rast dhe në asnjë paketë financiare qeveria Hoti nuk e ka paraparë subvencionimin dhe zgjidhjen e problemeve të “Trepçës” dhe të minatorëve dhe ndërmarrjeve industriale. Ne patëm në raportim ministrin e Industrisë dhe Tregtisë dhe asnjë cent kjo qeveri nuk ka ndarë si rezultat i kushteve të rënda nga pandemia. Pra, është një anashkalim që kjo qeveri e ka bërë me qëllim për “Trepçën”.
“Epoka e re”: Pasi që qeveria i ka 80 për qind të aksioneve, a do të duhej që të ketë privatizim në këtë pjesë që i takon meqë secila qeveri është duke e përdorur si kartë?
Shala: Ndoshta është një tendencë për t’ia ulur vlerën “Trepçës”. Kjo po bëhet pikërisht nga qeveria aktuale. “Trepça” nuk mund të privatizohet duke ia ulur vlerën. Ka mekanizma që kanë për ta shpërfaqur kundërshtinë në raport me këtë punë. Ne duhet të bisedojmë për forma të partneritetit apo zhvillimit, por jo të privatizimit, sepse aktualisht jemi në procesin e hetimit të ndërmarrjeve në Kosovë dhe duhet ta bëjmë një freskim të kaluarës sonë dhe ta shohim si është privatizuar dhe kush ka përfituar.
Intervistoi: Albulena S. MAVRAJ
Burimi: https://www.epokaere.com/disa-veprime-te-qeverise-hoti-bien-ndesh-me-konceptin-e-shoqerise-sone/?fbclid=IwAR14-8y8KxVREK1F1IuOTXaplJKfRiFRZG-s8xz2R4ve1HzaG2d40d9cZII
Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...Lexo më shumë...
Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....Lexo më shumë...
Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....Lexo më shumë...