Lexo

Emërimet e bordeve politike nga qeveria në dorëheqje, abuzim me situatën politike në të cilën ndodhet vendi!

Dr.sc. Ferat Shala, shkrim autorial mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë

Këto emërime paraqesin shkelje flagrante të Ligjit nr. 03/l-087 për ndërmarrjet publike, konkretisht nenit 17, paragrafit dy, i cili kërkon që drejtorët e ndërmarrjeve publike duhet të jenë të pavarur.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar dhe po vazhdon të emëroi njerëz politik, ish-kandidat për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, në bordet e ndërmarrjeve publike: Posta e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës - Infrakos dhe KRU "Prishtina".

Këto emërime paraqesin shkelje flagrante të Ligjit nr. 03/l-087 për ndërmarrjet publike, konkretisht nenit 17, paragrafit dy, i cili kërkon që drejtorët e ndërmarrjeve publike duhet të jenë të pavarur. Sipas këtij neni, një person nuk konsiderohet i pavarur nëse: “(…) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”.

Qeveria u mundua të arsyetoi këto emërime politike në borde të ndërmarrjeve publike, me faktin se këto ishin borde të përkohshme. Kjo nuk qëndron aspak, sepse emërimi i bordeve të përkohshme nuk mund të bëhet në kundërshtim me nenin 17 të Ligjit nr. 03/l-087 për ndërmarrjet publike, të cilin e cituam me sipër. Pra neni 22 i Ligjit nr. 04/l-111 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/l-087 për ndërmarrjet publike, autorizon qeverinë që të emëroi borde të përkohshme të drejtorëve, por ky nen nuk thotë se për këto emërime nuk vlejnë kushtet nga neni 17 i Ligjit nr. 03/l-087 për ndërmarrjet publike, i cili pra nuk lejon emërimin e personave politik.

Si anëtar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrje Publike dhe Investime Strategjike, dua të theksoj se këto emërime politike në ndërmarrjet publike janë jo vetëm shkelje e ligjit por abuzim me situatën që ndodhemi, ku Kuvendi e ka të pamundur të ftoi në raportim kryeministrin ose ministrat, për shkak se kjo qeveri është shkarkuar tashmë.

Por, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, se pamundësia jonë për të kryer kontrollin parlamentar mbi punën e qeverisë, për shkak se ajo është shkarkuar, nuk e amniston atë përballë organeve të drejtësisë për shkeljet ligjit që po bën. Përtej shkeljeve ligjore, duhet pasur parasysh se premtimi publik në fushatë zgjedhore në emër të të cilit një parti ka marrë vota e rrjedhimisht ka fituar pushtet, në një shoqëri demokratike duhet të konsiderohet si kontratë me popullin, shkelja e së cilës është shkelja më e rëndë. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka shkelur këtë kontratë, ai premtoi depolitizimin e ndërmarrjeve publike, e sot ato po shihen si strehë e militantëve të tij politik e partiak. Por kjo, mua personalisht, nuk më befason aspak sepse kam qenë i bindur se edhe ky premtim do të kishte fatin e të gjitha premtimet tjera të Albin Kurtit dhe kësaj qeverie, të cilat janë harruar dhe shkelur sapo kanë ardhur në pushtet.

Prishtinë, 04.04.2020.

 


Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...

Lexo më shumë...

Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...

Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë

Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....

Lexo më shumë...