U.d. Ministri i MMPH-së, Ferat Shala intervistë për gazetën Lajm
Të rrisim kujdesin për mjedisin, t’i kontribuojmë shëndetit!
26.09.2016- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për vitin 2016 ka shumë prioritete, ku ndër prioritetet me kryesore janë, “Hartimi i Projektligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, Hartimi i Projektligjit për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, përgatitja e koncept-dokumentit për fushën e menaxhimit të mbeturinave nga industria e nxjerrjes së mineraleve, përgatitja e koncept-dokumentit për krijimin e një mekanizmi për vjeljen e taksave ekologjike etj”, ka thënë Ferat Shala, (u.d.) ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor gjatë një interviste eksluzive dhënë për Lajm. Qytetet me ndotjen më të lartë në Kosovë janë: Mitrovica, Kastrioti, Drenasi dhe Hani i Elezit. Këto qytete industrial kanë trashëguar shkallë të lartë të ndotjes, ka thënë ministri Shala.
Lajm: Fillimisht çfarë mund të flisni rreth prioriteteve që i ka planifikuar për këtë vit Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor? Cilat janë prioritetet më kryesore?
Ferat Shala: Disa nga prioritet më kryesore të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për vitin 2016 janë sidomos ato në fushën e plotësimit dhe hartimit të legjislacionit.
Mund t’i përmendim me radhë, sikurse janë: hartimi i Projektligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, hartimi i Projektligjit për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës. Pastaj përgatitja e koncept-dokumentit për fushën e menaxhimit të mbeturinave nga industria e nxjerrjes së mineraleve, përgatitja e koncept-dokumentit për krijimin e një mekanizmi për vjeljen e taksave ekologjike që do të shërbejë si mjet për financimin e projekteve mjedisore.
Hartimi i Projektligjit për Veprimtarinë Hidrometeorologjike, aprovimi i Projektligjit për eficiencen e energjisë në ndërtesa, bazuar në Direktivën Evropiane për performancën e energjisë në ndërtesa 2010/31, i cili ka kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, etj.
Gjithashtu, janë duke u përgatitur plane për zvogëlimin e emisioneve në përmirësimin e cilësisë së ajrit, plane të veprimit për biodiversitetin, për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave, mirëmbajtjen e stacioneve të monitorimit të ajrit, avansimin e rrjetit ekzistues meteorologjik dhe shumë plane veprimi dhe aktivitete të tjera.
Lajm: Cilat ishin angazimet kryesore të Ministrisë së Mjedisit në këtë vit në drejtim të mbrojtjes së mjedisit të vendit, kur dihet se ka mjaft punë në këtë drejtim?
Ferat Shala: Mendojmë që përveç përgjigjeve të theksuara më lartë, ne po vazhdojmë në shkallë të gjerë me menaxhimin dhe investimin në sektorin e ujërave, në shumë projekte bashkë-investuese me pushtetin lokal, si rehabilitimin e shtretërve të lumenjve, investimet e mëdha në projektet kapitale për trajtimin e ujërave të zeza, në ruajtjen dhe menaxhimin zonave të mbrojtura, etj.
Lajm: Cili qytet apo cili rajon në Kosovë konsiderohet sipas Ministrisë së Mjedisit si vendi me mjedis më të ndotur dhe a është ndërmarrë ndonjë aktivitet që të zvogëlohet ndotja e mjedisit në atë mes?
Ferat Shala: Janë indetifikuar tashmë qytetet që kanë shkallë më të lartë të ndotjes mjedisore e ato janë: Mitrovica, Kastrioti, Drenasi dhe Hani i Elezit. Këto qytete kanë qenë dhe mbesin qytete industriale, të cilat kanë trashëguar një shkallë të lartë të ndotjes nga industria minerare dhe përpunuese, e po ashtu në disa nga këto qytete ende kemi aktivitete industriale aktive.
Prandaj, këto zona janë më të ndotura në aspektin e tokës, ujit dhe ajrit. Po punohet intensivisht që këto rajone të kenë menaxhim më të mirë, menaxhim dhe kontroll të cilësisë së ajrit, të ujit dhe tokës. Janë hartuar dhe po hartohen plane, janë vendosur stacione monitoruese të ndryshme dhe nga afër po përcillet situata. Këtu kemi mbështetjen edhe të donatorëve dhe investime nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.
Lajm: Cilat ligje janë të miratuara që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe sa janë duke u zbatuar ato?
Ferat Shala: Tashmë është një numër i madh i ligjeve që janë në fuqi, kurse ne po i përmendim vetëm disa nga to: Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, Ligji për Mbrojtjen e Natyrës, Ligji për Mbrojtjen Nga Zhurma, Ligji për Ujërat e Kosovës, Ligji për Mbeturina, Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligji për Vlerësimin Strategjik Mjedisor, Ligji për Kimikate, Ligji për Parqet Kombëtare, etj.
Të gjitha këto ligje dhe shumë nga ato që nuk arritëm t’i numrojmë janë të standardeve dhe kritereve evropiane për fusha të caktuara.
Lajm: Komuna e Obiliqit konsiderohet si një vend me ndotjen më të lartë në vend, qoftë të ajrit, të tokës dhe të ujit, gjë që e vështirëson jetën e qytetarëve në këtë komunë, duke lënë për pasojë edhe rritjen e sëmundjeve te qytetarët. Komuna ka kërkuar që ta ketë një ligj të veçantë për Obiliqin, ndërsa nuk është përkrahur dhe nuk është miratuar akoma. A e përkrah Ministria e Mjedisit këtë ligj?
Ferat Shala: Obiliqi është qyteti që realisht vuan për shkak të ndotjes së lartë që shkakton KEK-u dhe ky është preokupim i të gjitha niveleve të MMPH-së. Po i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet e mundshme dhe donatorët për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe ndotjes tjetër të shkaktuar nga KEK-u.
Tashmë edhe kemi rezultatet e para pozitive, por kjo nuk nënkupton që ne të ndalemi së investuari, në bashkëpunim me pushtetin lokal, KEK-un dhe instancat tjera, për zbutjen e kësaj situate mjedisore në rajonin e Obiliqit dhe rreth tij.
Lajm: Dikur vendet me mjedis të ndotur konsideroheshin Mitrovica, Obiliqi dhe Hani i Elezit, por pas luftës edhe Drenasi, pasi që ka filluar të punojë Ferronikeli. Sa janë ndërmarrë masa mbrojtëse për mjedisin në komunën e Drenasit?
Ferat Shala: Ndotësi kryesor në komunën e Drenasit është Ferronikeli, i cili tashmë ka krijuar stoqe të mëdha të mbetjeve metalurgjike, zona të mihjeve, shkarkim ujërash nga parqet industriale dhe lirim gazërash nga metalurgjia.
MMPH-ja përmes mekanizmave të saj është në kontakt të rregullt me instancat menxhuese të Ferronikelit për ndërprerjen e ndotjes dhe përmirësimin e gjendjes. Është planifikuar të rritet numri i stacioneve të monitorimit të ajrit, janë marrë hapa konkret për përmirësimin gjendjes së mihjeve dhe në rehabilitimin e deponive metalurgjike.
Edhe pse tani këto ditë Ferronikeli është në pasivitet të plotë, ai ka obligime kontraktuale dhe ligjore ndaj MMPH-së për kontrollin dhe shkallën e ndotjes.
Lajm: Si është gjendja e lumenjve në Kosovë, kur dihet se disa lumenj janë shkatërruar, sidomos nga operatorët privat që nxjerrin rërë në lumenj? Sa është dënimi dhe a ka pasur dënime rreth dëmtimit të shtratit të lumenjve?
Ferat Shala: Shfrytëzimi i lumenjve pa kritere, ka quar në shfrytëzimin e rezervave natyrore të lumenjve mbi kapacitetet regjeneruese të tyre. Ndërhyrjet e tilla kanë ndikuar në humbjen e peizazheve të bukura natyrore të lumenjve, zgjerimin e pakontrolluar të lumenjve, uljen e shpejtësisë së ujërave rrjedhëse dhe krejt në fund ndryshimin e florës dhe faunës së eko-sistemit të tyre.
Mbështetur në këtë situatë, MMPH-ja ka paraparë dhe po investon në shumicën e lumenjve të Republikës së Kosovës. Vetëm këtë vit në bashkëpunim me pushtetet lokale, kemi investuar mbi gjysëm milioni euro.
Kështu, në komunën e Prizrenit, MMPH-ja ka financuar Projektin “Rehabilitimi i Kaptazhës në Kabash të Hasit”, në vlerë prej 60,000.00 euro.
Ndërsa, në komunën e Vitisë, MMPH-ja ka financuar Projektin ”Rregullimi dhe Pastrimi i Lumit Moravë dhe Gelbushi”, në vlerë totale prej 100,000.00 eurosh.
Gjithashtu, në komunën e Vushtrrisë, MMPH-ja ka financuar Projektin “Rregullimi i Kanalizimit në fshatrat Galicë- Dobovc-Beqiq dhe Instalimin e Gypit kryesor të kanalizimit në Vushtrri”, në vlerë prej 250,000.00 eurosh.
Në Komunën e Shtimes, MMPH-ja ka investuar 200,000.00 euro në Projektin “Zgjerimi dhe pastrimi i lumit Caralevë-Shtime dhe Mollopolc- Petrovë-Shtime-Vojnoc”.
Në komunën e Lipjanit, MMPH-ja ka investuar në financimin e Projektit “Hapja dhe pastrimi i shtratit të lumit Sitnica”. MMPH-ja financon këtë projekt në shumën e tërësishme në vlerë prej: 65,000.00 eurosh. Ndërsa, në muajt e ardhshëm do të financohen edhe projekte të tjera.
Po ashtu po planifikojmë që nga viti i ardhshëm që nga Qeveria e Republikës së Kosovës të marrim kredi të buta me kushte të përshtatshme kthimi dhe se shkalla e investimit në sektorin e ujërave do të shumëfishohet.
Lajm: Sa i përket planifikimit hapësinor, si qëndron gjendja në gjithë vendin në këtë drejtim? A janë duke u zbatuar ligjet e planifikimit hapësinor, kur dihet se shumë ndërtime objektesh biznesore dhe shtëpish private ndërtohen edhe në tokë të bukës?
Ferat Shala: Miratimi i Ligjit Nr. 04/L-174 për Planifikimin Hapësinor shënon një arritje në planifikimin hapësinor dhe në shfrytëzimin racional gjithëpërfshirës dhe ndërdisiplinor të hapësirës në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ky ligj lehtëson shfrytëzimin efikas të resurseve, inkurajon qeveritë të zbatojnë legjislacionin, si dhe ofron mekanizma për përfshirje të publikut dhe palëve të interesit në procesin e planifikimit hapësinor që prej fazës fillestare.
Reforma kyçe në Ligjin për Planifikim Hapësinor është shfrytëzimi i zonimit si mjet për planifikimin e shfrytëzimin e hapësirës. Në Kosovë janë dy nivele të planifikimi hapësinor: Planifikimi i nivelit qendror për tërë territorin e Kosovës bëhet përmes dokumenteve të planifikimit hapësinor si: Plani Hapësinor i Kosovës ,Harta Zonale e Kosovës dhe Planet Hapësinore për zona të veçanta.
Planifikimi i nivelit lokal për tërë territorin e komunës bëhet përmes dokumenteve të planifikimit hapësinor, sipas Planit Zhvillimor Komunal, Hartës Zonale të Komunës, Planet Rregulluese të Hollësishme. Dokumentet e planifikimit hapësinor hartohen mbi bazën e të dhënave të planifikimit hapësinor dhe normave teknike të planifikimit hapësinor. Këto dokumente hartohen duke përfshirë shqyrtimet publike, sipas një procesi transparent të pjesëmarrjes publike që nga faza fillestare. Komuna është përgjegjëse për kyçjen e publikut në hartimin, revidimin dhe zbatimin e dokumenteve të planifikimit hapësinor.
Deri më tani 31 komuna kanë të miratuar Planin Zhvillimor Komunal, kurse 3 komuna janë në proces të hartimit, si Skenderaji, Parteshi dhe Malisheva. Suhareka e ka të miratuar PZHK, por pa pëlqimin e MMPH-së dhe 3 komunat në veri të vendit nuk kanë të miratuar PZHK-ën.
Në aspektin e hartimit të legjislacionit dhe dokumenteve të planifikimit hapësinor ka të arritura të konsiderueshme, mirëpo ka ngecje në zbatimin e legjislacionit dhe dokumenteve të planifikimit hapësinor, e cila do të arrihej me fuqizimin e Inspektorateve, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në nivelin lokal.
Lajm: Si qëndron gjendja me zhvendosjen e banorëve të Hades, pasi që gjysma e fshatit akoma kanë ngelur pa u zhvendosur? Kur do të zhvendoset edhe pjesa e mbetur dhe ku do të zhvendoset?
Ferat Shala: Zhvendosja e banorëve dhe marrja e pronave në Zonën e Interesit, ku bën pjesë edhe fshati Hade (pjesa e mbetur), bëhet konform “Kornizës së Politikave për Zhvendosje të RKS”.
Plani kohor i zhvendosjes varet nga Plani Dinamik i KEK-ut për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore, ndërsa për zhvendosjen e banorëve nga Zona e Interesit është paraparë Lokacioni “Hade e Re” në Shkabaj.
Lajm: Si qëndron gjendja me zhvendosjen e banorëve të Shipitullës, a ka filluar akoma zhvendosja e banorëve të këtij fshati, meqë shumë shpejt KEK-u do të zgjerohet me mihje për nxjerrjen e qymyrit edhe në këtë anë?
Ferat Shala: Zhvendosja e banorëve nga fshati Shipitullë ende nuk është bërë nga KEK-u, por KEK-u vetëm ka filluar procedurat ku ka mbajtur Dëgjimet Publike dhe ka angazhuar një Kompani për hartimin e Planit të Veprimit për Zhvendosje, i cili në vete përmban edhe procesin e zhvendosjes (regjistrimin, vlerësimin, marrëveshjet mes KEK-ut dhe banorëve, kompensimin, vendosjen në lokacionin Hade e Re, etj.).
Sipas informacioneve nga KEK-u, Kompania Ndërkombëtare Kanadeze “Re-Plan” ka filluar punën dhe tashmë është caktuar data, e cila do të ndihmojë vazhdimin e zgjidhjes së problemit. Jemi të bindur se procesi tanimë ka marrë rrugën e tij dhe se problemi i Shipitullës do të marrë zgjidhjen e duhur për palët e interesit.
Lajm: Nëpër qytete dhe vendbanime qytetarët shpeshherë hudhin në rrugë letra, qeska najloni, pako të cigareve, filterë të cigareve dhe shumë gjëra të tjera, të cilat e bëjnë të papastër ambientin dhe shëmtojnë pamjen e qytetit. A ka ndonjë aktivitet për vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve që mos të hudhin gjëra në rrugë? A ekziston dënim me ligj nëse një qytetar e hudh një letër në rrugë? Nëse po, sa zbatohet dhe sa është dënimi?
Ferat Shala: Kjo çështje tashmë është adresuar në mënyrë ligjore. MMPH-ja ka nxjerr Udhëzimin Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore, për zbatimin e të cilit ne do të zhvillojmë një fushatë vetëdijesimi. Unë kam nënshkruar vendimin për themelimin e grupit punues për zbatimin e këtij Udhëzimi Administrativ. Ndëshkimet për personat që hudhin në rrugë mbeturina është nga 5 deri në 100 euro.
Lajm: Për fund, z.ministër, cila do të ishte porosia e juaj për qytetarët që do të ishte shumë e rëndësishme dhe më se e nevojshme për të ndikuar pozitivisht në mbrojtjen e mjedisit?
Ferat Shala: Porosia ime është që të rrisim kujdesin dhe edukimin e përgjithshëm për mjedisin. Kështu i kontribuojmë shëndetit tonë, familjes sonë dhe shtetit tonë. Dhe për ta mbyllur këtë po e riformuloj konceptin me sintagmën: ”Mjedisi i jep formën mendjes!”.
Ju faleminderit për intervistë!
burimi: www.lajmi.net
Qeveritë janë për të gjetur zgjidhje, jo për të krijuar konflikte!
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me gjendjen në arsim...Lexo më shumë...
Qeveria e emergjencave dhe kriza energjetike!
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....Lexo më shumë...
Disa rekomandime për lehtësimin e krizës energjetike në Kosovë
Shkrim autorial nga Dr.sc. Ferat Shala, Udhëheqës i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovë....Lexo më shumë...